Monday, November 15, 2010

Lavdi letrës së bthës!!

Për të qënë i sinqertë, po krejt fare ama, si me veten, ashtu edhe me audicionin, këto festa e festime për liberalizimin e vizave, le që janë krejt patetike më së pari, por nuk e di se si, për mua lidhen me përdorimin e letrës higjenike ndër shqiptarët.

Çdokush e mban mend sesi pas viteve 90', u njohëm me këtë produkt tërësisht evropiano perëndimor, që e bënte më të lehtë jetën në nevojtore (...)

Në rast se do të duhej të festohej ndonjë ditë "historike", nuk besoj se do të gjendej rast më i mirë për ta bërë, përveçse në ditën që shqiptarëve, nuk u gërvishtej prapanica sa herë kryenin nevojën numër 2.


Friday, July 30, 2010

Stupid America

Ndodh me raste që kur shikon nëpër internet, vendos të lundrosh në të pa ndonjë qëllim të veçantë. E lë veten në mëshirën e valëve që të çojnë sipas erës nëpër skaje e vise që përndryshe nuk do t’i zbuloje dot. Kështu më ndodhi dje... dhe rezultati ishte një faqe e veçantë, në të cilën autorët dhe ideatorët e saj, kishin mbledhur shkrimet, citimet dhe komentet nga faqe të ndryshme në sferën internetore amerikane më së shumti. Të gjitha këto kishin të përbashkët – budallëkun. Interesante, apo jo?

Duke lexuar nëpër të, sidomos në “Top 100” të këtyre, shikon cilat janë aspektet më të prekura dhe komentuara të jetës amerikane. Duke filluar që nga presidenti Obama, i cili tërheq një numër të konsiderueshëm citimesh, besimi fetar dhe bestytnitë rreth tij, pastaj në teoritë konspirative gjithëfarëllojshe, që nga rrotullimi i tokës rreth diellit, gjeologjia, racizmi, reptilët?, deri te ide politike inovatore, si psh arsyetimi pse duhet të ketë “librari private”.

Japin të gjitha një formë të mrekullueshme budallëku.

Në librin “Dashuria në kohët e kolerës”, një mjek thotë se njerëzit mund të ndahen rëndom në dy kategori kryesore. Në ata që jashtëqisin në rregull, dhe në të tjerët që në mënyrë amerikane do të përshkruheshin si “cant get the sh!t right.

Unë kam bindjen se një nga mënyrat e të kuptuarit të një populli, është të gjesh se në cilat fusha ushtrojnë imagjinatën e tyre, me përmasa të tilla groteske. Në këtë mënyrë mund të gjendet se çfarë është ajo që u bren shpirtin, sa mendjehapur/mbyllur/ngushtë bëhen kur preken këto tema dhe çfarë porcioni budallëku mund tu kushtojnë këtyre temave.

Për këdo tjetër që është fan i këtyre teorive dhe do të shkruajë librin fantastiko shkencor të rradhës është i lirë të hidhet në prehrin e këtyre mrekullive, të budallëkut.

Friday, July 23, 2010

Ce?

Kjo më lart, ishte fjala ime e preferuar para 20 vitesh.

“Ce” do të thoshte “pse”, gjithnjë e shoqëruar rigorozisht me këtë “?” formë ovale që e ndiqte nga pas, me pikën poshtë si litar ku do të vareshin gjithë kuriozitetet e një fëmije... të vendosura nën mëshirën e më të rriturve. “?” do të ishte ekuivalente në realitet me një buzëqeshje të një trazovaçi plot quka dhe me dhëmbë... jo në gjendje optimale. Mezi kam pritur të më dilnin ata të pjekurisë...

Mbaj mend atëherë që më pëlqenin “ce”-të e rënda. Madje sa më shumë “ce” në seri, aq më e vështirë më dukej përgjigjia që do më jepnin. Po gjithnjë përgjigjet vinin duke më zhgënjyer. Kur të rriturit e ndjenin se pikëpyetja pas “ce”-së u shtrëngonte fytin, atëherë të bezdisur, “e hiqnin qafe”.

Gjithsesi... duke marrë shkas prej këtij frymëzimi fëminor, më lindi dëshira të hap një rubrikë, ku tanimë nuk do bëj vetëm pyetjen “ce”, por edhe do ekzekutoj përgjigjen e duhur. Është më argëtuese kështu...

Filloj me pyetjen e parë:

Ce dëshira që shfaqin miss-et, apo kandidatet për miss, se dëshirojnë paqe në botë, është në fund të fundit llogjike?

Së pari, dëshira për paqe në botë, është llogjike vetvetiu. Kush e do luftën në vend të paqes? Por pika më e rëndësishme ku dua të ndalem unë, për kategorinë e caktuar, është këtu që, një miss është shumë e dëshiruar prej një kategorie të madhe meshkujsh. Duke qënë në një pozicion të tillë, ku të gjithë pretendojnë të futen në akte riprodhimi me të, ajo e shikon veten potencialisht kandidate për të lindur shumë fëmijë. Do thoni ju, prezervativi? Ky nuk ndikon në efektin psikologjik që i jep miss-it ideja (patjetër llogjike), se shumë meshkuj duan të riprodhohen me të.

Duke pasur një vizion të tillë, largpamës dhe krejtësisht real, missi ndihet e kërcënuar prej rrezikut që mund të kalojnë fëmijët e saj të ardhshëm, në një botë të pasigurtë. Madje kjo do të ishte arsye që ajo të druhej për të tentuar të riprodhohet në mënyrë sistematike.

Mund të thotë dikush, ti ia fut kot!! Bota reale nuk është e tillë siç e përshkruan një miss. Mbase ke të drejtë, kur flet për botën tënde reale. Realiteti është një perceptim. Po nëse do merrja sytë e missit të shikoja botën reale të saj, atëherë para pasqyrës do të shifja një – miss! Realiteti i saj është ai i dikujt që konkuron për të marrë kurorën e bukurisë. Nëse do mund të zgjidhja, do të zgjidhja një realitet të bukur.

Konkluzioni: duhet të bëjmë ç’është e mundur për t’i plotësuar missit dëshirën e saj për paqe në botë. Për të mirën e të gjithëve.

Sunday, July 18, 2010

Futbolli total

Meqë u bë objekt debatesh kjo temë, por edhe çështje kurioziteti, më shkoi në mendje të shkruaj diçka mbi futbollin total, vendin dhe kohën kur pati sukseset e veta dhe impaktin mbi taktikat e futbollit në të ardhmen.


Hyrje.

Fillimisht thuhet se rrënjët e futbollit total gjenden në traditën e klubit futbollistik më të njohur në Hollandë, Ajaksit të Amsterdamit. Për referencë, disa shkojnë shumë pas në kohë, në vitet 1915 -1925, atëherë kur një gentleman anglez i quajtur Jack Reynolds, ishte trajner i ekipit të Ajaksit. Reynolds merr meritat për tu quajtur ndoshta pioneri i parë i këtij sistemi që më vonë do të vihej në zbatim prej ish lojtarit dhe dishepullit të tij Marinus Michels.

Për mendimin tim, vitet në të cilat Reynolds ishte trajner, ishin të tilla që nuk lejonin shprehje të mirëfilltë taktikash moderne. Vetë futbolli luhej në mënyrë amatoreske (Ajaksi ishte klub amator në atë periudhë), por edhe fryma e kohës, pak para luftës së parë dhe të dytë botërore, nuk linin shumë vend për tu zhvilluar ashtu siç është sot, sporti më i bukur në botë.
Atë për të cilën hodhi themelet Reynolds, do ta vazhdonte dhe perfeksiononte Rinus Michels. Michels gjatë gjithë karierës së tij ka luajtur me Ajaksin në 264 ndeshje duke shënuar 122 gola. Koha kur luante përkoi gjatë dhe pas luftës së dytë botërore, duke ia zbehur shancet për një karrierë më të suksesshme si futbollist. Por atë që nuk arriti si lojtar, Michels e kompesoi duke u kthyer në një nga trajnerët më të mire në botë me Ajaksin.


Gjithçka filloi në vitin 1965 për “gjeneralin”, siç e quanin vetë lojtarët hollandezin legjendar. Atëherë kur mori frenat në dorë të skuadrës së tij të preferuar dhe duke patur në fidanishten e akademisë një farë tipi, çun të ri, me emrin Krujf. Ajaksi sezonin e mëparshëm rrezikonte të binte nga kategoria dhe vetëm një vit më pas, do të fitonin kampionatin hollandez, pas shumë vitesh pritjeje.


Knock knock knocking on Europe’s door.


Viti 1966 do të gjente Ajaksin në Kupën e Kampionëve të atëhershme, si fitues I kampionatit vendas. Kupa atëherë kishte format të ndryshëm nga ky I sotmi, dhe për ata që nuk e dinë, vetëm skuadrat kampione të vendeve respektive mund të merrnin pjesë.
Në fillim Ajaksi kalon lehtësisht Besiktasin në fazën e parë të Kupës dhe në fazën e dytë, i duhet të përballej me një nga skuadrat më të respektueshme të kohës – Liverpoolin. Liverpool i atëhershëm, jo vetëm që ishte një skuadër e fortë, e rangut të Barcelonës, apo Realit sot, jo vetëm që Anglia atë vit kishte fituar Kupën e Botës duke iu rritur prestigji ndërkombëtar, por gjithashtu drejtohej edhe nga një prej trajnerëve më me emër të çdo kohe në futboll. Legjendarit Bill Shankly.
Shankly përballë Michels. Do të ishte një ndeshje titanësh. Skuadra prestigjoze prej Anglisë vihej përballë rebelëve ambiciozë të Amsterdamit. Çka do të ndodhte në atë ndeshje, do merrte më pas përmasa epike. E gjitha është përshkruar këtu, dhe më mire se aq unë smundem të bëj. (leximi është interesant nëse keni kohë dhe doni të kuptoni diçka më shumë për taktikat dinake të një Van Gaali 15 vjeçar) Por impakti që kishte kjo fitore e çunave të Ajaksit në këtë ndeshje, do të ishte tepër i madh. Pas kësaj fitoreje, do të kishin mundësinë, vetëbesimin dhe vendosmërinë për tu bërë një nga klubet më të famshme në Evropë dhe gjithë botën.
Procesi i ndërtimit të një skuadre dhe një ambicjeje të tillë, zgjati disa vjet. Në vitet në vazhdim Ajaksi humbet në fazën e pare eliminatore kundër Realit. Viti 1969 i çon deri në finale kundër Milanit, dhe përveç finales, humbin dhe kampionatin vendas, pa patur të drejtën që të përfaqësoheshin në Evropë. Lavdinë për të qenë klubi i parë Hollandez që fiton Kupën e Kampionëve, ua rrëmben Fejënordi, kur në 1970, e fiton këtë në finale me Celtic madje duke pasur në pankinë Ernst Happel. Austriakun që do të udhëhiqte kombëtaren hollandeze në kupën e botës 1978 në Argjentinë.

Kampionë.

Sezoni 1970-1971 do të ishte ai ku skuadra tashmë e pjekur e Ajaksit, do të tregonte potencialin e vet në fushë dhe do të mahniste për tre sezonë rradhazi gjithë Evropën.
Përgjatë suksesit të tyre këtë vit, një kuriozitet i vogël është se kaluan edhe nga Tirana në fazën e parë, duke mundur 17 Nëntorin e atëhershëm me rezultatin 4-2. 2-2 në Tiranë dhe 2-0 në Amsterdam. Nëse nuk gaboj, Medin Zhega ka qënë atëherë në formacionin e Tiranës, madje ka dhënë dhe intervistë për këtë ndeshje.
Në fazat e mëtejshme Ajaksi mund me rradhë Basel, Celtic dhe Atletico për tu gjendur në finale me skuadrën greke të Panathinaikos të cilën e mund 2-0. Ky vit dhe dy të tjerë më pas do të shihnin Ajaksin si mbretin e Evropës dhe futbollin total në zenitin e vet. Largimi i Michels pas 1971-shit, nuk ndikoi në lojën e skuadrës, zëvendësuesi i tij Kovaç, u tregua i denjë në rolin e paraardhësit të vet. Nuk ishte njësoj pas largimit të Krujfit drejt Barcelonës pas dy viteve. Pasi humbi yllin e vet, gjigandi tashmë prej Amsterdami ra në gjumë të thellë, për tu rimëkëmbur më pas në mesvitet 90’
Nuk ishte njësoj ama me futbollin total. Ky kishte edhe një shfaqje të fundit për të dhënë. Atë të kupës së botës në Gjermani, në vitin 1974.

Kampionë, pa kurorë.

Pjesëmarrja në turneun e Kupës së Botës në vitin 1974, është shfaqja më impresionuese e futbollit total. Kjo për disa arsye.
Arsyeja e parë, është cilësia e turneut. Vërtet që në nivele klubesh Ajaksi ishte i pamposhtur, por tjetër vlerë ka futbolli i klubeve dhe tjetër kupa e botës. Sfida është gjithashtu e ndryshme. Një tjetër ndjenjë të jep përballja me skuadrën kombëtare të Brazilit, Argjentinës dhe Uruguajit të atëhershëm, të pakrahasueshme me çdo sfidë tjetër që mund të ofrojë fusha e blertë.
Një arsye tjetër është, se Hollanda tashmë, ishte një skuadër e kompletuar nga ana taktike. Kishte një mënyrë të veçantë dhe të ndryshme loje nga çdo skuadër tjetër në planet – deri atëherë. Ky turne, do të jetë mundësia më e mirë për të analizuar taktikisht si luante Hollanda.
Një arsye tjetër akoma, është se të gjithë dritat prozhektorët, televizorët, do të binin mbi skuadrën tulipane, ku çunat bjondë flokëgjatë do të jepnin shfaqje. Kjo ishte dhe arsyeja pse të shumtë ishin ata që i deshën portokallinjtë që prej asaj dite.
Një arsye tjetër, ishte se gjenerali u kthye. Ai do të vendosej në timonin e “Oranje mechanica-s” Madje ai do të ishte arsyeja pse Hollanda dha këtë shfaqje.

Nuk do të kishte vend më të mire ku të analizohej futbolli total në gjithë magjinë e vet sesa turneu i 1974. Dhe meqë e mora këtë barrë përsipër, më ngelet që ta shpjegoj.

Formacioni taktik i skuadrës.

Problemi i parë që do të haste Michels, ishte ai i gjetjes së lojtarëve të duhur, për të vënë në punë makinerinë tulipane. Kandidatë kryesorë, do të ishin lojtarët që kishte stërvitur, apo stërviste akoma vetë, fillimisht tek Ajaks, dhe më pas te Barcelona. Prej katalanasve do të sillte me vete Krujfin, dhe Neeskens. Prej Fejënordit do të merrte Van Hanegem dhe Jansen, gjithashtu dhe mbrojtësin e qendrës Rijsbergen. Resenbrik do të vinte prej Anderlehtit të Belgjikës dhe të mirënjohurit tashmë Krol, Rep dhe ish trajneri ynë i kombëtares Ari Haan, do të ishin shtylla e skuadrës.

Është interesante vetë zgjedhja e këtyre lojtarëve prej Michels. Ai mori në skuadër lojtarë që mund t’i përgjigjeshin një mënyre të caktuar loje, siç ishte futbolli total. Lojtarët e Fejënordit dhe Ajaksit, ishin të njohur me këto taktika, prej kampionatit të tyre. Resenbrik u përshtat me skuadrën… por problem ishte mbrojtja, që t’i bie shkurt, qëndërmbrojtësit e formacionit bazë, ishin dëmtuar. Një vend mund ta merrte Rijsbergen ndërsa tjetri ngelej bosh. Krujfi i sugjeron Michelsit të vendosë Haan si qendërmbrojtës. Ky më parë luante si mesfushor mbrojtës. Normalisht, me një sistem ku pozicionet e lojtarëve ndryshohen, nuk do të ishte problem. Mirëpo kishte arsye pse Haan u vendos aty. Skuadra hollandeze ishte egërsisht sulmuese. I duhej dikush në qendër të mbrojtjes, të mundej të luante lart në fushë, në ndihmë të mesfushës. Ekuivalenti i sotëm psh (shumë konservativ), do të ishte mënyra si luan Pique te Barça.

Meqë mbrojtja do të luante lart me presing në fushë, atëherë vështirësia vinte tek mbyllja e vrimave që linte pas. Një mënyrë taktike për t’i mbyllur këto vrima, ishte dhe për herë të parë u zbatua, offside taktik. Në momentin që kundërshtarët do të kishin topin dhe të avanconin përpara, “Oranje mechanica” hidhej e gjitha në sulm, duke lënë zbuluar sulmuesit. Ishte goxha argëtuese diçka e tillë, sidomos në ndeshjen e parë me Uruguajin, kur sapo latinët vendoseshin për sulm, pesë gjashtë prej tyre dilnin offside që me topin e parë.

Mirëpo kaq nuk mjaftonte… kështu Michels, pati një ide më të çmendur akoma… të bënte një lojtar të veçantë si mbrojtës të katërt (kur Haan të shkonte para). Dhe për këtë punë, zgjodhi… portierin. Portieri i Hollandës së atëhershme, nuk ishte më i miri në “treg”. Jongbloed ishte 34 vjeç, luante me Amsterdamin (jo Ajaksin), karriera e tij nuk ishte shumë impresionuese. Ai u zgjodh në këtë rol, për aftësitë e veçanta të pasimit dhe lojës me top që kishte.

Dhe imagjinoni, këto gjëra ndodhnin në vitin 1974!! Atëherë kur portjeri (deri në vitin 1990), mund të zotëronte me duar çdo pasim të shokëve të skuadrës.


Krujf.


As volume të tëra librash nuk do të mjaftonin për të përshkruar dhe për të ndjekur aftësitë e këtij lojtari gjenial, që në mënyrën e veçantë sesi luante, vizionin e mprehtë që kishte në fushë, mënyra sesi drejtonte skuadrën me njërën dorë lart, duke i udhëzuar se ku të lëviznin, mënyrën e veçantë të pasimit, driblimit ndërrimit të pozicioneve dhe shpejtësisë në lojë… Krujf ishte mishërimi vetë i gjithë futbollit total. Në një përmbledhje të vogël, po themi që Krujf kishte aftësinë dhe lirinë e veprimit kudo në fushë. Mund të merrte topin prej mbrojtjes, mund të ishte qëndërsulmuesi, mund të hapej nga krahët etj. Vizioni dhe aftësia e tij si futbollist e bënin Hollandën e 74’ një organizëm shumë dinamik.

Vetë ekzistenca e një lojtari të tillë, do të ishte inovacion për futbollin. Shumë takticienë të sotëm, mbështeten mbi mënyrën sesi ai luante për të provuar sisteme të reja me skuadrat respektive. Nuk besoj se ka, as mund të ketë lojtar të dytë në botë me këtë impakt në lojë dhe në taktikë. Vetë finalja e botërorit që sapo kaluam e vërteton këtë. Hollanda, skuadra që e lindi dhe e krijoi, u vendos përballë krijesës shpirtërore të tij, Spanjës, Barçës së Krujfit.
Por edhe trajnerë të tjerë si Butragenjo, Spalleti, Bielsa, Tele Santana, kanë gjetur frymëzim tek ai dhe mënyra sesi luante. Butragenjo do të thoshte madje: futbolli ndahet në dy epoka, atë para Krujf dhe atë pas Krujf.

Një shembull i vogël për ndikimin e lojtarit në mënyrën sesi luante, është formacioni pa sulmues qëndror. I përdorur me sukses relativ në Romën e Spalletit, kur këtij i mungonin sulmues, ai vendos Tottin në qendër (si sulmues i fshehur) dhe udhëzon lojtarët anësorë të marrin pozicione qendërsulmuesi kur janë në sulm. Kjo e bënte skuadrën e Romës të paparashikueshme në lojë dhe shumë efektive.

Pressing.


Një veçanti e skuadrës hollandeze të futbollit total, ishte pressing. Të gjithë lojtarët si një trup i vetëm presonin lart në fushë, në mënyrë shumë agresive. Gjithë ideja e kësaj mënyre loje, bazohej në një pohim të thjeshtë: nuk mund të luash nëse nuk e ke topin në këmbë. Kështu, “oranje mechanica” vendosmërisht kur nuk kishte topin sulej për ta zotëruar atë. Krujf vetë, më pas si trajner, do ta perfeksiononte këtë mënyrë loje, duke shtuar frazën e vet tipike: por kur e ke në zotërim topin, duhet të dish çka të bësh me të. Mënyra e sotme sesi Barça luan, duke ua fshehur topin kundërshtarëve, është krujfiane. Po nuk mund të quhet futboll total. I mungon lëvizshmëria e lojtarëve, dinamizmi që vjen prej ndërrimit të pozicioneve dhe agresiviteti, që në Hollandën e 74’ ishte një pike shumë e rëndësishme.

Impakti kulturor dhe konkluzione.

Epoka e futbollit total, ishte një inovacion në futbollin modern. Ishte një revolucion që shkonte krah për krah me revolucionin kulturor të atyre viteve. Ata çunat bjondë shtatlartë, për mua janë ekuivalenti futbollistik i Beatles dhe Rolling Stones bashkë. Nuk ishte vetëm pamja si prej rockstari, por një rishikim total i taktikave dhe dhe përqasjes mbi të cilën bazohej një skuadër për të luajtur futboll. Ishte një shprehje artistike në fushën e blertë të shpirtit hollandez.

Shumë libra janë shkruar për këtë çështje, për të shpjeguar sesi luante, pse luante në këtë mënyrë, dhe nga vinte frymëzimi për të bërë këtë gjë? David Winner autor i librit “Brilliant Orange the neurotic genius of Dutch football”, e shpjegon mënyrën e lojës së tyre duke u bazuar në mentalitetin liberal hollandez, aftësisë për të qënë një popull kreativ dhe mënyrës sesi e shikojnë dhe konceptojnë hapësirën përreth. Hollandezët shkruan ai, e shikojnë fushën e blertë, ashtu si shohin vetë vendin e tyre. Duke qënë në hapësirë të kufizuar dhe të detyruar për ta menaxhuar sa më mirë atë, hollandezët tentojnë gjithnjë ta shfrytëzojnë sipërfaqen kur janë në sulm dhe të mbyllin hapësirat (digat), kur të tjerët i sulmojnë.

Ndërsa liberalizmi i kulturës së tyre, nisur që prej traditave protestante të vendit, u krijoi mundësinë të mbështeteshin mbi një formë rebele futbolli, duke e patur të lehtë të grisnin dhe hidhnin poshtë çdo element taktik tradicional para kohës së tyre.

Sot në kohët moderne të “specializimit” mbi një degë shkencore/profesion të caktuar, të mendosh për futboll total “erudit”, është shumë e vështirë. Por impakti prej asaj kohe ka ngelur akoma në Hollandën e tulipanëve dhe mullinjve. Ja vetëm po të vërehet aftësia e lojtarëve të kombëtares hollandeze, për të luajtur në dy tre pozicione njëherësh. Jo vetëm kaq, por edhe volumi i futbollistëve cilësorë që prodhon një vend kaq i vogël, është jashtë mase i madh.


vijon...

Thursday, July 1, 2010

Oranje Moon

Shine on Oranje Moon in June … and into July.


Dikush, kishte përmendur një herë se tifozllëku për skuadrën e vet, i ngjante një lidhjeje dashurie. I ka rënë në shenjë krahasimit, se përndryshe nuk do më gjenin këto ditë para ndeshjes në një situate të tillë, ku po ndjej flutura në bark, nuk po kuptoj nëse ankthi bren kohën, apo koha ankthin, një herë shpresoj se dua të kalojnë shpejt këto ditë, dhe do t’i bindesha fatit të çdo rezultati, një herë tjetër mendoj se nuk dua të jem aty, do doja të ngelesha këtu, në situatën e një pritjeje të përjetshme. Pastaj më kapin ethet, të dridhurat, çfarë do të bëhet sikur ajo përsëri të mohojë dashurinë time të përjetshme për të, të bëhet zemërgur dhe të më dënojë përsëri në ankth, lotë pa shpresë…

Kam dyshime për gjithçka, vetëm që e dua me gjithë shpirt, jo.

Që Hollanda është dashuri, u mor vesh, besoj. Po që është dashuri me shikim të parë e dini? Që kur i pashë atëherë, viti 88’, në atë fanellën e ndritshme të bërë si me rreze dielli, e vendosur mbi trupin e disa lojtarëve që pa bërë diçka magjike me topin, nuk donin kurrsesi ta fusnin në rrjetë. Që atëherë, kur mosha të lejonte akoma të mahniteshe me gjithçka… si të ishte ajo fanella e portokalltë, apo buzët e kuqe të asaj gocës që fati, tha, bëri të dukeshin më të kuqe se të çdo goce tjetër.

Si ato netë që humbisnin duke ëndërruar të nesërmen, atëherë kur do ta shihja prapë…
Hollanda është dashuri sublime, platonike... kokëkrrisur, ashtu si mënyra që luajnë. Është dashuri pa matematikë fare… si ato shumë të pafajshme dhe fëminore, ku nuk llogarit çfarë pune i bën i jati gocës, as sa lekë (kupa :D) ka në bankë.

Hollanda është nga ato lloj dashurish, ku e vetmja gjë që do me të vërtetë, është puthja e parë…

Nëse do të bëhej libër, do të ishte “Dashuria në kohën e kolerës”… po bëhen afërsisht 40 vjet. Që atëherë kur nga njëri det në tjetrin det, çunat e portokallinjtë në futboll, ishin mbretërit vetë – pa kurorë.

Nëse do i vihej kurora ndonjëherë, do të ishte çmim i merituar më parë, futbolli më shumë do i jepte çmim vetes, sesa Oranjeve. Megjithëse …edhe Hëna e portokalltë, do dukej më bukur nëse do shihej e plotë.

***

p.s Trop, e plotësova premtimin, megjithëse pak kësaj që shkrujta, deri edhe fytyra më është bërë si portokall. :D

Saturday, June 19, 2010

Oranje Mechanica.




Për pak orë, “The Dutch Machine”, do të hyjë në garën e raundit të dytë në Grupin E, dhe do të ketë përballë samurajtë japonezë të Okadës.

Oranjet hyjnë në këtë ndeshje me pretendim për fitoren dhe nuk do të jenë të kënaqur me diçka më pak se kaq. Fitorja pothuajse do tu siguronte vendin e parë në grup, sidomos nëse do të favorizoheshin prej rezultateve të ndeshjes tjetër midis Kamerunit dhe Danimarkës.

Duke ditur që një nga nofkat e skuadrës hollandeze është “Oranje Mechanica”, po përpiqem të bëj një analizë mbi sistemin mekanik të skuadrës, të drejtuar nga inxhinieri Bert Van Marwijk.

Sistemi frenues:

Është i përbërë nga dy disqe qëndërmbrojtës me emrat Heitinga dhe Mathijsen. Si dhe prej portjerit Stekelenburg. Megjithëse nuk ka dyshime mbi performancën e pjesëve të tjera të skuadrës, shumë pikëpyetje qëndrojnë mbi këtë pjesë të makinës tulipane duke e cilësuar atë si ndoshta dobësinë e kësaj skuadre. Sulmi mund të kapë shpejtësi të larta, marramendëse. Por si do të funksionojë sistemi frenues nëse i duhet të përballet me kthesat e ngushta dhe ndonjëherë të frikshme të kundërshtarëve? A do tia dalë mbanë të frenojë në kohë dhe pa u përplasur? Ndeshja me Danimarkën tregoi se kjo është e mundur. Po gjithashtu ndeshjet e kualifikimit në grupe, ku në 8 ndeshje Oranje mechanica ka pësuar vetëm dy dëmtime të vogla anësore. Statistikat janë shpresëdhënëse akoma dhe test drive të kohës para botërorit. Por dyshimi përsëri vendoset mbi aftësinë e frenave markë Stekelenburg, sidomos kur i duhet të operojë në kthesa të gjata dhe topa të lartë brenda zonës. Mbrojtësit dhe portjeri janë shprehur të gatshëm dhe të vendosur për të mos e lënë makinën oranje të dalë nga rruga për ku është nisur, dhe synimi i vetëm është finalja.

Transmisioni.

Është i përbërë nga dy anësorët mbrojtës të skuadrës, që u përgjigjen emrave Gio Van Bronchorst dhe Gregory Van der Wiel. Synimi kryesor i të cilëve është të furnizojnë mesfushën dhe sulmin me pasime, pa harruar që duhet të bllokojnë mesfushorët kundërshtarë. Gjithashtu në pjesën e përparme anësore, Oranje Mechanica përbëhet nga Van Der Vaart dhe Kuyt, ose Robben dhe Elia. Sipas nevojave të lojës dhe kundërshtarit, drejtuesi Van Marwijk mund të zgjedhë pjesë këmbimi të ndryshme. Nëse do më shumë siguri në lojë, përdoren dy të parët. Në xhirot e fundit të garës, mund të shkëmbehen me të dytët, të cilët do i jepnin Hollandës shpejtësi, shumë të nevojshme për të përfunduar garën në pole-position. Hollanda në versionin “tuner’ përdor të parët. Kurse kur shndërrohet në “sport exotic car” përdor të dytët. Elia dhe Robben, mund gjithashtu të cilësohen si nitrous (për këdo që ka parë “Fast and Furious”), turbo, apo supercharger.

Motorri.

Motorri hollandez është i përbërë nga tre pjesë kryesore. Van Bommel dhe Nigel de Jong, janë ata që energjinë e tyre e shndërrojnë në fuqi motorike për skuadrën, të gatshme për të rezistuar deri në fund. Në një ditë të mirë do mund të digjnin çdo kundërshtar mesfushe që u del përpara. Agresiviteti i Nigel së bashku me vizionin dhe qëndrueshmërinë e Van Bommel, janë një garanci më tepër dhe shumë kuaj fuqi, me cilidratë të lartë. Pjesa tjetër e motorit përbëhet nga Wesley Sneijder. Kjo është pjesa më e rëndësishme e skuadrës, për mendimin tim. Lojtar me vizion dhe pjesë motorike e mrekullueshme. I qëndrueshëm në lojë, në pasime të sakta dhe me fantazi. Wesley është krijuesi i lojës në skuadër, nëse ai do ishte në gjendje optimale, dhe do luante me marshin e pestë, besoj se të paktë do ishin ata që do i bënin ballë.

Është e vështirë për të bërë një krahasim mbi sulmuesin e skuadrës dhe cilës pjesë të një makine do i takonte ky. Në rastin e Hollandës, sulmuesi i vetëm i përdorur deri tani është Robin Van Persie i Arsenal. Megjithëse jo në gjendjen e vet më të mirë, dhe i ardhur pas një dëmtimi të gjatë, Van Persie ka shumë akoma për të treguar për veten. Parakolpi i Hollandës, ka shancin e dytë këtë herë, për të përplasur topin pas rrjetës së kundërshtarëve. Unë kam besim se nuk do zhgënjejë. Nëse zhgënjen, atëherë Hunteri i Milanit do provojë veten përpara portës në vend të tij, me detyrën për të shënuar gol.

Thursday, January 28, 2010

Monogram. (përkthim)

Monogram (Odisea Eliti 1972)

I.


Do mbaj zi përjetë - më dëgjon? për ty.
vetëm, në Parajsë.

Diku tjetër do i kthejë vijat
e dorës, Fati si klepsidër.
Për një moment dhe Koha do jetë dakort.

Po si ndryshe, kur dy njerëz duhen.

Do nderë qielli të përbrendshmet tona
dhe do godasë botën pafajësia
me heshtën e të zesës, e vdekjes.

II

Mbaj zi për diellin dhe për vitet që vijnë,
pa ne. Dhe këndoj për të tjera që ikën,
nëse janë të vërteta.

Të përfolura trupat dhe varkat ëmbël u përplasën
Kitara që u ndezën dhe u shuan nënujë.
Ato "më beso" dhe "mos",
njëra ajër, tjetra melodi.

Dy kafshët e vogla, duart tona,
që kërkonin rrugën përmbi njëra-tjetrën
Saksia me barbarozë në dyert e hapura,
Dhe copëzat, detet që vinin bashkë
Pas gurëve shterpë, pas gardheve,
Anemonën që të ngeli në dorë
Dhe ti u drodhe tre herë, e mekur tre ditë,
mbi ujëvara.

Nëse këto janë të vërteta po këndoj,
shtylla prej druri dhe tabloja katrore,
në mur, sirena me flokët lëshuar,
macja, që mes errësirës na pa.

Djali me temjan dhe kryqin e kuq
Në perëndim përmes shkëmbinjsh të paprekur.
Mbaj zi për robën që preka dhe u bë botë.

III

Kështu flas për ne të dy.

Sepse të dua, dhe në dashuri di,
të hyj si Hënëplotë.
Nga kudo, për këmbën tënde të vogël mes mbulesash përtokë
jargavanë të çpoj - dhe kam fuqi
Të përgjumur, me një frymë të të çoj,
Mes udhësh hënës dhe fshehtësish deti
Pemë të hipnotizuara me merimanga që argjendërojnë.


Dëgjuar i kanë valët
si përkëdhel dhe puth
Si thua me pëshpërimë "si?" dhe "ok"
Përreth gushës në gji
Si gjithnjë, dritë dhe hije unë dhe ti.

Gjithmonë ti yllëza, dhe gjithmonë unë, i errët në lundrim.
Gjithmonë ti gjiri i detit, unë feneri në të djathtë.
Moli i lagur dhe drita mbi rema.
Lart në shtëpinë me pjergulla.
Trëndafilët e lidhur buqetë dhe uji i ftohtë në gotë.
Gjithmonë ti, statuja prej guri, dhe gjthmonë unë hija që zmadhohet.
Qepeni i anuar ti, era që e hap unë.
Sepse të dua dhe të dua.
Gjithmonë ti monedha, unë adhurimi që e çmon.

Sa nata, aq fishkëllimat e erës
sa vesa në ajër, sa heshtja.
Përreth deti, diktator
dritare e qiellit me yje.
sa më e vogla frymë e jotja.


Që më nuk kam asgjë
mes katër muresh tavanit dhe dyshemesë
Të thërras për ty dhe të më godasë zëri im
Të mbaj erë ty dhe të egërsohen njerëzit
sepse të pashijuarën dhe të ardhurën nga larg
nuk e duan njerëzit, dhe është akoma shpejt, më dëgjon?
Është akoma shpejt në këtë botë për ne zemra ime.

Të flas për ne të dy.

IV.


Është akoma herët në këtë botë, më dëgjon?
Nuk janë zbutur akoma bishat, më dëgjon?
Gjaku im i humbur dhe me majë ngulur, më dëgjon
Thika,
Si një dash rend përmes qiejve
dhe klonet e yjeve shkatërron, më dëgjon?
Jam unë, më dëgjon?
Të dua, më dëgjon?
Të mbaj dhe të çoj dhe të vesh
të bardhin e nusërisë, fustanin e Ofelisë, më dëgjon?
Ku po më le, ku shkon dhe kush, më dëgjon?

Prej apokalipsit dorën sta lëshon.

Të mëdhatë të varurat bimë dhe llavë vullkanesh
do vijë dita, më dëgjon
Të na groposin, dhe mijëra vite të përtejmë
Me ceremoni do na gurëzojnë, më dëgjon?
Të shndërrijë mbi ta ligësia, më dëgjon?
E njerëzve
Dhe njëmijë copë të na ndajë.

Në ujë një më një, më dëgjon?
Thumbat e hidhur të mi numëroj, më dëgjon?
Dhe janë vitet një kishë e madhe më dëgjon?
Ku dikur, ikonat
E shenjtorëve
Nxjerrin vërtetë lotë më dëgjon?
Kambanat hapen përlart, më dëgjon?
Përmes një rruge të thellë të kaloj
Presin ëngjëjt me qirinj dhe psalme zije
Kurrkund nuk shkoj, më dëgjon?
Ose asnjë, ose të dy më dëgjon?

Këtë lule të shtrëngatës dhe më dëgjon?
të dashurisë
E premë një herë e përgjithmonë
Sepse nuk bëhet përsëri të çelë, më dëgjon?
Në tjetër tokë, në tjetër yll, më dëgjon?
Nuk është dheu, nuk është ajri
Që prekëm i njëjti, më dëgjon?

Dhe asnjë kopshtar nuk u lumturua në tjetër kohë.

Nga kaq dimër dhe kaq erë veriu më dëgjon?
Të shpërndajë lule, vetëm ne më dëgjon?
Mes, në mes të detit
Nga e vetmja dëshirë e dashurisë më dëgjon?
Ngritëm një ishull të ri, më dëgjon?
Me shpella me kepe dhe gremina të lulëzuara
dëgjo, dëgjo...
Kush flet mes ujit dhe kush vajton - dëgjon?
Jam unë që thërras dhe jam unë që vajtoj, më dëgjon?
Të dua! Të dua, më dëgjon?


V.


Për ty kam folur në kohë të largëta
me luftëtarë të vjetër rebelë dhe mëkuese të urta,
Për çfarë arsye ke pikëllimin e egërsuar
Kthjelltësinë në ballë të ujit gurgulluar
dhe pse, tha, afër meje të vije
Që nuk dua dashuri, por erën dua
Por dua rendjen e detit ngrefur, zbuluar.

Dhe për ty askush nuk kishte dëgjuar
për ty, as diktami, as kërpudhat
në viset e larta të Kretës, asgjë
Vetëm për ty pranoi i madhi Zot të më marrë përdorë.

Pak më këtej, ca më tutje, me kujdes përreth
Në fytyrën e bregdetit, në gjijtë, në flokë
në kodrën valëzuar në të majtë.

Trupi yt me qëndrimin e pishës vetmuar
sytë e krenarisë dhe kthjellët
thellësisë, brenda në shtëpi me studion e vjetër
dantellat e verdha dhe dru qiparis
I vetëm duke pritur ku më parë do dukesh
lart në dhomë, apo pas pllakave të avllisë.
Me kalin e Shenjtorit dhe me vezën e Ngjalljes.

Si prej ndonjë afresku të shkatërruar
Madhështor aq sa të deshi e vogla jetë
Të futësh brenda në qiri, dritën vezulluese vullkanore.

Që askush të mos e ketë parë e dëgjuar
asgjë mes shkretëtirës shtëpive të shkreta
As pararendësi i varrosur aty, në cep të oborrit.
Për ty, as plaka e urtë në yshtjet e veta.

Për ty vetëm unë, edhe melodia mundet
që përzë brenda meje por ajo kthehet më e fortë
Për ty, gjoksi i paformuar i dymbëdhjetë viteve
I kthyer në të ardhmen me krater të kuq
Për ty si karficë aroma e hidhët
Që më gjendet në trup dhe më çpon kujtesën
dhe ja dheu, ja pëllumbat, ja toka jonë e lashtë.


VI


Shumë kam parë, dhe toka më duket përmes mendjes më e bukur
më e bukur mes avujve të artë
Guri i mprehur më i bukur
i errëti blu i istmeve dhe çatitë mes valëve.
Më të bukura rrezet që pa i shkelur kalon
E pamposhtur si zonja e Samothrakës, lart mbi malet
e detit.

Kështu të kam parë dhe më mjafton
Të ketë dalë gjithë koha pafaj
Përmes gjurmës që lë ecja jote pas
Si delfin i ri pa përvojë të ndjek

Dhe të luajë me bardhësinë dhe të kaltrën shpirti im!

Fitore, fitore ku kam dalë pafitim
Përpara dashurisë dhe bashkë
përballë orëve dhe lules së pasionit
Ti shko, shko dhe unë le të humbas!

Vetëm dhe le të jetë dielli që mban një fëmijë
të porsalindur,
Vetëm, dhe le të jem unë mëmëdheu që mban zi
le të jetë fjala që dërgova mbajtëse gjethesh dafine
Vetëm, era e fortë dhe vetëm gjithësfera
gjëmb në pulitjen e thellësisë së detit t'errët
Peshkatari që gjeti dhe hodhi prapë përtej kohës, Parajsën!


VII

Në Parajsë kam vënë në sy një ishull
të pandryshëm, ti dhe një shtëpi në det.

Me krevat të madh dhe derë të vogël
Kam hedhur në hapësirë një jehonë
për tu parë çdo mëngjes sa zgjohem

të të shikoj, gjysmën duke kaluar në ujë
dhe gjysëm duke të vajtuar në Parajsë.
users online
 
Creative Commons License
Shkrimet e blogut Busulla jane te licensuara nen Creative Commons Autoresi-Jofitimprurese-Vepra te pandryshueshme 2.5 Italia License.